Glostat
Albania Constitution (2022) - Albanian

Albania Constitution (2022) - Albanian

Glostat
105 min Word Count: 22191

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË1

(Ndryshuar me ligjet: nr. 9675, datë 13.1.2007; nr. 9904, datë 21.4.2008; nr. 88/2012, datë 18.9.2012; nr. 137/2015, datë 17.12.2015; nr. 76/2016, datë 22.7.2016; nr. 115/2020, datë 30.7.2020; nr. 16/2022, datë 10.2.2022)

Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit,

VENDOSIM KËTË KUSHTETUTË:

PJESA E PARË: PARIME THEMELORE

Neni 1

  1. Shqipëria është Republikë parlamentare.
  2. Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm.
  3. Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike.

Neni 2

  1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.
  2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsë-drejti.
  3. Për ruajtjen e paqes dhe të interesave kombëtare, Republika e Shqipërisë mund të marrë pjesë në një sistem sigurimi kolektiv, në bazë të një ligji të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Neni 3

Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.

Neni 4

  1. E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.
  2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë.
  3. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe.

Neni 5

Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të.

Neni 6

Organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë rregullohen me ligjet e tyre përkatëse, përveç rasteve kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe.

Neni 6/1

(Shtuar me ligjin nr. 137/2015, datë 17.12.2015)

Ndalohet zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i një funksioni publik në një nga organet e parashikuara në këtë Kushtetutë, ose të krijuara me ligj, pavarësisht përcaktimeve të bëra në dispozitat e tjera të kësaj Kushtetute, nëse verifikohen rrethana që cenojnë integritetin e funksionarit publik, sipas kushteve dhe rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Neni 7

Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Neni 8

  1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
  2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.
  3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.

Neni 9

  1. Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike.
  2. Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit.
  3. Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike.

Neni 10

  1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare.
  2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.
  3. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare.
  4. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjellë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve.
  5. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend.
  6. Bashkësitë fetare janë persona juridikë. Ato kanë pavarësi në administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk cenohen interesat e të tretëve.

Neni 11

  1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike.
  2. Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj.
  3. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike.

Neni 12

  1. Forcat e armatosura sigurojnë pavarësinë e vendit, si dhe mbrojnë tërësinë territoriale dhe rendin e tij kushtetues.
  2. Forcat e armatosura ruajnë asnjanësinë në çështjet politike dhe i nënshtrohen kontrollit civil.
  3. Asnjë forcë e huaj ushtarake nuk mund të vendoset dhe as të kalojë në territorin shqiptar, si dhe asnjë forcë ushtarake shqiptare nuk mund të dërgohet jashtë, përveçse me një ligj të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Neni 13

Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore.

Neni 14

  1. Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja.
  2. Flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes.
  3. Stema e Republikës së Shqipërisë paraqet një shqyt me fushë të kuqe me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes. Në krye të shqytit, me ngjyrë të artë, është vendosur përkrenarja e Skënderbeut.
  4. Himni kombëtar është “Rreth Flamurit të Përbashkuar”.
  5. Festa Kombëtare e Republikës së Shqipërisë është Dita e Flamurit, 28 Nëntori.
  6. Kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë është Tirana.
  7. Forma dhe përmasat e simboleve kombëtare, përmbajtja e tekstit të himnit kombëtar, si dhe përdorimi i tyre rregullohen me ligj.

PJESA E DYTË: TË DREJTAT DHE LIRITË THEMELORE TË NJERIUT

KREU I: PARIME TË PËRGJITHSHME

Neni 15

  1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.
  2. Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.

Neni 16

  1. Të drejtat e liritë themelore, si dhe detyrimet e parashikuara në Kushtetutë për shtetasit shqiptarë vlejnë njëlloj edhe për të huajt e për personat pa shtetësi në territorin e Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur Kushtetuta e lidh në mënyrë të posaçme me shtetësinë shqiptare ushtrimin e të drejtave e të lirive të caktuara.
  2. Të drejtat dhe liritë themelore, si dhe detyrimet e parashikuara ne Kushtetutë vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa përputhen me qëllimet e përgjithshme të këtyre personave dhe me thelbin e këtyre të drejtave, lirive dhe detyrimeve.

Neni 17

  1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.
  2. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Neni 18

  1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
  2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.
  3. Askush nuk mund të diskriminohet për shkaqet e përmendura në paragrafin 2, nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.

Neni 19

  1. Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj.
  2. Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, përveçse kur ai heq dorë prej saj.

Neni 20

  1. Personat që u përkasin pakicave kombëtare ushtrojnë në barazi të plotë para ligjit të drejtat dhe liritë e tyre.
  2. Ata kanë të drejtë të shprehin lirisht, pa u ndaluar as detyruar, përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore. Ata kanë të drejtë t’i ruajnë e zhvillojnë ato, të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën e tyre amtare, si dhe të bashkohen në organizata e shoqata për mbrojtjen e interesave dhe të identitetit të tyre.

KREU II: LIRITË DHE TË DREJTAT VETJAKE

Neni 21

Jeta e personit mbrohet me ligj.

Neni 22

  1. Liria e shprehjes është e garantuar.
  2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.
  3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.
  4. Ligji mund të kërkojë dhënien e autorizimit për funksionimin e stacioneve të radios ose të televizionit.

Neni 23

  1. E drejta e informimit është e garantuar.
  2. Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.
  3. Kujtdo i jepet mundësia të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive.

Neni 24

  1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar.
  2. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.
  3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

Neni 25

Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.

Neni 26

Askujt nuk mund t’i kërkohet të kryejë një punë të detyruar, përveçse në rastet e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor, të kryerjes së shërbimit ushtarak, të një shërbimi që rrjedh nga një gjendje lufte, nga një gjendje e jashtëzakonshme ose nga një fatkeqësi natyrore, që kërcënon jetën ose shëndetin e njerëzve.

Neni 27

  1. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse në rastet dhe sipas procedurave të parashikuara me ligj.
  2. Liria e personit nuk mund të kufizohet, përveçse në rastet e mëposhtme:
    • a) kur është dënuar me burgim nga gjykata kompetente;
    • b) për moszbatim të urdhrave të ligjshëm të gjykatës ose për moszbatim të ndonjë detyrimi të caktuar me ligj;
    • c) kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer një vepër penale ose për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
    • ç) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij në organin kompetent;
    • d) kur personi është përhapës i një sëmundjeje ngjitëse, i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm për shoqërinë;
    • dh) për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror, si dhe në rastet e dëbimit ose të ekstradimit.
  3. Askujt nuk mund t’i hiqet liria vetëm për shkak se nuk është në gjendje të përmbushë një detyrim kontraktor.

Neni 28

  1. Kushdo, të cilit i hiqet liria, ka të drejtë të njoftohet menjëherë në gjuhën që ai kupton, për shkaqet e kësaj mase, si dhe për akuzën që i bëhet. Personi, të cilit i është hequr liria, duhet të njoftohet se nuk ka asnjë detyrim të bëjë ndonjë deklaratë dhe ka të drejtë të komunikojë menjëherë me avokatin, si dhe t’i jepet mundësia për realizimin e të drejtave të tij.
  2. Personi, të cilit i është hequr liria sipas nenit 27, paragrafi 2, nënparagrafi “c”, duhet të dërgohet brenda 48 orëve përpara gjyqtarit, i cili vendos paraburgimin ose lirimin e tij jo më vonë se 48 orë nga çasti i marrjes së dokumenteve për shqyrtim.
  3. I paraburgosuri ka të drejtë të ankohet kundër vendimit të gjyqtarit. Ai ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të procedohet i lirë përkundrejt një garancie pasurore sipas ligjit.
  4. Në të gjitha rastet e tjera, personi, të cilit i hiqet liria në rrugë jashtëgjyqësore, mund t’i drejtohet në çdo kohë gjyqtarit, i cili vendos brenda 48 orëve për ligjshmërinë e kësaj mase.
  5. Çdo person, të cilit i është hequr liria sipas nenit 27, ka të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të tij.

Neni 29

  1. Askush nuk mund të akuzohet ose të deklarohet fajtor për një vepër penale, e cila nuk konsiderohej e tillë me ligj në kohën e kryerjes së saj, me përjashtim të veprave, të cilat në kohën e kryerjes së tyre, përbënin krime lufte ose krime kundër njerëzimit sipas së drejtës ndërkombëtare.
  2. Nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ka qenë parashikuar me ligj në kohën e kryerjes së veprës penale.
  3. Ligji penal favorizues ka fuqi prapavepruese.

Neni 30

Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Neni 31

Gjatë procesit penal kushdo ka të drejtë:

  • a) të vihet në dijeni menjëherë dhe hollësisht për akuzën që i bëhet, për të drejtat e tij, si dhe t’i krijohet mundësia për të njoftuar familjen ose të afërmit e tij;
  • b) të ketë kohën dhe lehtësitë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
  • c) të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën shqipe;
  • ç) të mbrohet vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij; të komunikojë lirisht dhe privatisht me të, si dhe t’i sigurohet mbrojtja falas, kur nuk ka mjete të mjaftueshme;
  • d) t’u bëjë pyetje dëshmitarëve të pranishëm dhe të kërkojë paraqitjen e dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.

Neni 32

  1. Askush nuk mund të detyrohet të dëshmojë kundër vetvetes ose familjes së vet dhe as të pohojë fajësinë e tij.
  2. Askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme.

Neni 33

  1. Kushdo ka të drejtë të dëgjohet para se të gjykohet.
  2. Nga kjo e drejtë nuk mund të përfitojë personi që i fshihet drejtësisë.

Neni 34

Askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj.

Neni 35

  1. Askush nuk mund të detyrohet, përveçse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen me personin e tij.
  2. Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.
  3. Kushdo ka të drejtë të njihet me të dhënat e mbledhura rreth tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.
  4. Kushdo ka të drejtë të kërkojë ndreqjen ose fshirjen e të dhënave të pavërteta ose të paplota ose të mbledhura në kundërshtim me ligjin.

Neni 36

Liria dhe fshehtësia e korrespondencës ose e çdo mjeti tjetër të komunikimit janë të garantuara.

Neni 37

  1. Paprekshmëria e banesës është e garantuar.
  2. Kontrollet e banesës, si dhe të mjediseve që njësohen me të, mund të bëhen vetëm në rastet dhe në mënyrat e parashikuara me ligj.
  3. Askujt nuk mund t’i bëhet kontroll vetjak jashtë procesit penal, me përjashtim të rasteve të hyrjes në territorin e shtetit dhe të daljes prej tij ose për të mënjanuar një rrezik që i kanoset sigurimit publik.

Neni 38

  1. Kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit.
  2. Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit.

Neni 39

  1. Asnjë shtetas shqiptar nuk mund të dëbohet nga territori i shtetit.
  2. Ekstradimi mund të lejohet vetëm kur është parashikuar shprehimisht në marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë, dhe vetëm me vendim gjyqësor.
  3. Ndalohet dëbimi kolektiv i të huajve. Dëbimi i individëve të huaj lejohet në kushtet e përcaktuara me ligj.

Neni 40

Të huajt kanë të drejtën e strehimit në Republikën e Shqipërisë sipas ligjit.

Neni 41

  1. E drejta e pronës private është e garantuar.
  2. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil.
  3. Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë.
  4. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
  5. Për mosmarrëveshjet lidhur me masën e shpërblimit mund të bëhet ankim në gjykatë.

Neni 42

  1. Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
  2. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.

Neni 43

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj për kundërvajtje të lehta penale, për çështje civile ose administrative me rëndësi ose vlerë të vogël, në përputhje me kushtet e parashikuara në nenin 17 të Kushtetutës.

Neni 44

Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore.

KREU III: LIRITË DHE TË DREJTAT POLITIKE

Neni 45

(Ndryshuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 137/2015, datë 17.12.2015)

  1. Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.
  2. Përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht.
  3. Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në raste përjashtimore dhe të justifikuara, ligji mund të parashikojë kufizime të së drejtës për të zgjedhur të shtetasve që vuajnë dënimin me heqje lirie, ose të së drejtës për t’u zgjedhur para dhënies së një vendimi përfundimtar apo kur shtetasit janë dëbuar për një krim ose për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike.
  4. Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.

Neni 46

  1. Kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm.
  2. Regjistrimi në gjykatë i organizatave ose i shoqatave bëhet sipas procedurës së parashikuar me ligj.
  3. Organizatat ose shoqatat që ndjekin qëllime antikushtetuese janë të ndaluara sipas ligjit.

Neni 47

  1. Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar.
  2. Tubimet paqësore në sheshe dhe në vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave të parashikuara me ligj.

Neni 48

Kushdo, vetë ose së bashku me të tjerë, mund t’u drejtojë kërkesa, ankesa ose vërejtje organeve publike, të cilat janë të detyruara të përgjigjen në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj.

KREU IV: LIRITË DHE TË DREJTAT EKONOMIKE, SOCIALE DHE KULTURORE

Neni 49

  1. Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional.
  2. Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës.

Neni 50

Të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës.

Neni 51

  1. E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar.
  2. Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme.

Neni 52

  1. Kushdo ka të drejtën e sigurimeve shoqërore në pleqëri ose kur është i paaftë për punë, sipas një sistemi të caktuar me ligj.
  2. Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj.

Neni 53

  1. Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje.
  2. Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit.
  3. Lidhja dhe zgjidhja e martesës rregullohen me ligj.

Neni 54

  1. Fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e reja kanë të drejtën e një mbrojtjeje të veçantë nga shteti.
  2. Fëmijët e lindur jashtë martese kanë të drejta të barabarta me të lindurit nga martesa.
  3. Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë, e veçanërisht nën moshën minimale për punën e fëmijëve, që mund të dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën a zhvillimin e tij normal.

Neni 55

  1. Shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti.
  2. Kushdo ka të drejtë për sigurim shëndetësor sipas procedurës së caktuar me ligj.

Neni 56

Kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij.

Neni 57

  1. Kushdo ka të drejtën për arsimim.
  2. Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj.
  3. Arsimi i mesëm i përgjithshëm publik është i hapur për të gjithë.
  4. Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie.
  5. Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas.
  6. Nxënësit dhe studentët mund të arsimohen edhe në shkolla jopublike të të gjitha niveleve, të cilat krijohen e funksionojnë në bazë të ligjit.
  7. Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj.

Neni 58

  1. Liria e krijimit artistik dhe e kërkimit shkencor, vënia në përdorim, si dhe përfitimi prej arritjeve të tyre janë të garantuara për të gjithë.
  2. E drejta e autorit mbrohet me ligj.

KREU V: OBJEKTIVAT SOCIALË

Neni 59

  1. Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon:
    • a) punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë;
    • b) plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim;
    • c) standardin më të lartë shëndetësor, fizik e mendor, të mundshëm;
    • ç) arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë me punë;
    • d) një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm;
    • dh) shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm;
    • e) përkujdesjen dhe ndihmën për të moshuarit, jetimët dhe invalidët;
    • ë) zhvillimin e sportit dhe të veprimtarive ripërtëritëse;
    • f) riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve, si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës;
    • g) mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe.
  2. Përmbushja e objektivave socialë nuk mund të kërkohet drejtpërdrejt në gjykatë. Ligji përcakton kushtet dhe masën në të cilat mund të kërkohet realizimi i këtyre objektivave.

KREU VI: AVOKATI I POPULLIT

Neni 60

  1. Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike.
  2. Avokati i Popullit është i pavarur në ushtrimin e detyrës së tij.
  3. Avokati i Popullit ka buxhet të veçantë, të cilin e administron vetë. Ai e propozon buxhetin sipas ligjit.

Neni 61

  1. Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë prej 5 vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje.
  2. Avokati i Popullit mund të jetë çdo shtetas shqiptar, me arsim të lartë, me njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit.
  3. Avokati i Popullit gëzon imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
  4. Avokati i Popullit nuk mund të bëjë pjesë në asnjë parti politike, nuk mund të kryejë veprimtari tjetër politike, shtetërore ose profesionale dhe as të marrë pjesë në organizmat drejtues të organizatave shoqërore, ekonomike dhe tregtare.

Neni 62

  1. Avokati i Popullit mund të shkarkohet vetëm me kërkesë të motivuar të jo më pak se një së tretës së deputetëve.
  2. Në këtë rast Kuvendi vendos me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij.

Neni 63

  1. Avokati i Popullit paraqet raport vjetor përpara Kuvendit.
  2. Avokati i Popullit raporton përpara Kuvendit kur i kërkohet prej këtij, si dhe mund t’i kërkojë Kuvendit të dëgjohet për çështje që ai i çmon të rëndësishme.
  3. Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike.
  4. Organet dhe funksionarët publikë janë të detyruar t’i paraqesin Avokatit të Popullit të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara prej tij.

PJESA E TRETË: KUVENDI

KREU I: ZGJEDHJA DHE AFATI

Neni 64

(Ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.4.2008, nr. 115/2020, datë 30.7.2020)

  1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar.
  2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar.
  3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.

Neni 65

(Ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.4.2008)

  1. Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur.
  2. Zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.
  3. Në rast shpërndarjeje të Kuvendit para përfundimit të mandatit të plotë, zgjedhjet thirren jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.
  4. Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.

Neni 66

Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është i shpërndarë, ai rithirret vetiu.

Neni 67

(Ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.4.2008)

  1. Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Kur Kuvendi paraardhës është shpërndarë para mbarimit të mandatit, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e ri jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve.
  2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni.

KREU II: DEPUTETËT

Neni 68

(Ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.4.2008, ndryshuar pika 1 me ligjin nr. 115/2020, datë 30.7.2020)

  1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.
  2. Në ligjin për zgjedhjet përcaktohen edhe kritere dhe rregulla të tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve, zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve të tyre.

Neni 69

  1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:
    • a) gjyqtarët, prokurorët;
    • b) ushtarakët e shërbimit aktiv;
    • c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;
    • ç) përfaqësuesit diplomatikë;
    • d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;
    • dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;
    • e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.
  2. Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.

Neni 70

  1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.
  2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj.
  3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
  4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.

Neni 71

  1. Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.
  2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
    • a) kur ai nuk bën betimin;
    • b) kur heq dorë nga mandati;
    • c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;
    • ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;
    • d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
    • dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Neni 72

Para fillimit të ushtrimit të mandatit deputetët bëjnë betimin në Kuvend.

Neni 73

(Ndryshuar me ligjin nr. 88/2012, datë 18.9.2012, ndryshuar paragrafi 3, me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
  2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.
  3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Prokurori i Përgjithshëm ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
  4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura, për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të hapur.

KREU III: ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI

Neni 74

  1. Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit.
  2. Kuvendi mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri ose nga një e pesta e të gjithë deputetëve.
  3. Sesionet e jashtëzakonshme thirren nga Kryetari i Kuvendit në bazë të një rendi dite të përcaktuar.

Neni 75

  1. Kuvendi zgjedh dhe shkarkon Kryetarin e vet.
  2. Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores së miratuar nga shumica e të gjithë anëtarëve.

Neni 76

  1. Kryetari kryeson debatin, drejton punimet, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij, si dhe përfaqëson Kuvendin në marrëdhëniet me të tjerët.
  2. Nëpunësi më i lartë civil i Kuvendit është sekretari i përgjithshëm.
  3. Shërbimet e tjera të nevojshme për funksionimin e Kuvendit kryhen nga nëpunës të tjerë, siç përcaktohet në rregulloren e brendshme.

Neni 77

  1. Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme, si dhe mund të caktojë komisione të posaçme.
  2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore.
  3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj.

Neni 78

  1. Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar.
  2. Mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur sipas rregullores, nuk sjellin asnjë pasojë.

Neni 79

  1. Mbledhjet e Kuvendit bëhen të hapura.
  2. Me kërkesën e Presidentit të Republikës, të Kryeministrit ose të një së pestës së deputetëve mbledhjet e Kuvendit mund të bëhen të mbyllura, kur për këtë kanë votuar shumica e të gjithë anëtarëve të tij.

Neni 80

  1. Kryeministri dhe çdo anëtar tjetër i Këshillit të Ministrave është i detyruar t’u përgjigjet interpelancave dhe pyetjeve të deputetëve brenda tri javëve.
  2. Anëtari i Këshillit të Ministrave ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit ose të komisioneve të tij; atij i jepet fjala sa herë që e kërkon.
  3. Drejtuesit e institucioneve shtetërore, me kërkesë të komisioneve parlamentare, japin shpjegime dhe informojnë për çështje të ndryshme të veprimtarisë së tyre për sa e lejon ligji.

KREU IV: PROCESI LIGJVËNËS

Neni 81

  1. Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës. 16
  2. Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit:
    • a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta;
    • b) ligji për shtetësinë;
    • c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore;
    • ç) ligji për referendumet;
    • d) kodet;
    • dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme;
    • e) ligji për statusin e funksionarëve publikë;
    • ë) ligji për amnistinë;
    • f) ligji për ndarjen administrative të Republikës.

Neni 82

  1. Propozimi i ligjeve, kur është rasti, duhet të shoqërohet kurdoherë me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij.
  2. Asnjë projektligj joqeveritar që bën të nevojshme rritjen e shpenzimeve të buxhetit të shtetit ose që pakëson të ardhurat, nuk mund të miratohet pa marrë mendimin e Këshillit të Ministrave, i cili duhet të shprehet brenda 30 ditëve nga data e marrjes së projektligjit.
  3. Në qoftë se Këshilli i Ministrave nuk shprehet brenda afatit të mësipërm, projektligji kalon për shqyrtim sipas procedurës së zakonshme.

Neni 83

  1. Projektligji votohet tri herë: në parim, nen për nen dhe në tërësi.
  2. Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose të një së pestës së të gjithë deputetëve, mund të shqyrtojë e të miratojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se një javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit.
  3. Procedura e përshpejtuar nuk lejohet për shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara në nenin 81 paragrafi 2, me përjashtim të nënparagrafit “dh”.

Neni 84

  1. Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij.
  2. Ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës nuk ushtron të drejtat e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni dhe në paragrafin 1 të nenit 85.
  3. Ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditëve nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare.
  4. Në rastet e masave të jashtëzakonshme, si dhe në rast nevoje e urgjence, kur Kuvendi vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve dhe Presidenti i Republikës jep pëlqimin, ligji hyn në fuqi menjëherë, vetëm pasi të jetë njoftuar publikisht. Ligji duhet të botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.

Neni 85

  1. Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë.
  2. Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

PJESA E KATËRT: PRESIDENTI I REPUBLIKËS

Neni 86

  1. Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.
  2. President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç.

Neni 87

(Ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.4.2008)

  1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.
  2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.
  3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
  4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short. Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.
  5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.
  6. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.

Neni 88

(Ndryshuar pika 2, shtuar pika 2/1 me ligjin nr. 9904, datë 21.4.2008)

  1. Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

  2. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.

    2/1. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit.

  3. Presidenti fillon në detyrë pasi bën betimin para Kuvendit, por jo më parë se të ketë mbaruar mandati i Presidentit që largohet. Presidenti bën këtë betim: “Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar.” Presidenti mund të shtojë edhe: “Zoti më ndihmoftë!”

  4. Presidenti që jep dorëheqjen para mbarimit të mandatit të vet, nuk mund të kandidojë në zgjedhjen presidenciale që bëhet pas dorëheqjes së tij.

Neni 89

Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private.

Neni 90

  1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.
  2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
  3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Neni 91

  1. Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij.
  2. Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë.

Neni 92

Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:

  • a) i drejton mesazhe Kuvendit;
  • b) ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit;
  • c) jep shtetësinë shqiptare dhe lejon lënien e saj sipas ligjit;
  • ç) jep dekorata e tituj nderi sipas ligjit;
  • d) jep gradat më të larta ushtarake sipas ligjit;
  • dh) me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare;
  • e) pranon letrat kredenciale dhe tërheqjen e përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare të akredituara në Republikën e Shqipërisë;
  • ë) lidh marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit;
  • f) me propozim të Kryeministrit, emëron drejtorin e shërbimit informativ të shtetit;
  • g) emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve sipas ligjit;
  • gj) cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;
  • h) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre.

Neni 93

Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete.

Neni 94

Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të.

PJESA E PESTË: KËSHILLI I MINISTRAVE

Neni 95

  1. Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat.
  2. Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore.

Neni 96

  1. Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
  2. Në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve.
  3. Në qoftë se edhe Kryeministri i emëruar rishtas nuk miratohet nga Kuvendi, brenda 10 ditëve Kuvendi zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.
  4. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.

Neni 97

Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.

Neni 98

  1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.
  2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.

Neni 99

Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës.

Neni 100

  1. Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore.
  2. Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të Kryeministrit ose të ministrit përkatës.
  3. Mbledhjet e Këshillit të Ministrave bëhen të mbyllura.
  4. Aktet e Këshillit të Ministrave janë të vlefshme, kur nënshkruhen nga Kryeministri dhe ministri propozues.
  5. Këshilli i Ministrave nxjerr vendime dhe udhëzime.

Neni 101

Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve.

Neni 102

  1. Kryeministri:
    • a) përfaqëson Këshillin e Ministrave dhe kryeson mbledhjet e tij;
    • b) koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe përgjigjet për to;
    • c) siguron zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave;
    • ç) bashkërendon dhe kontrollon punën e anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe të institucioneve të tjera të administratës qendrore të shtetit;
    • d) kryen detyra të tjera të parashikuara në Kushtetutë e në ligje.
  2. Kryeministri zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet ministrave.
  3. Kryeministri, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra.
  4. Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë. Ministri, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra dhe udhëzime.

Neni 103

  1. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.
  2. Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse.
  3. Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.

Neni 104

(Ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.4.2008)

  1. Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.
  2. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105.
  3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tri ditë nga paraqitja e tij.

Neni 105

(Ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.4.2008)

  1. Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri.
  2. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri.
  3. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e Kryeministrit në detyrë dhe emërimin e Kryeministrit të zgjedhur jo më vonë se 10 ditë nga votimi i mocionit në Kuvend.

Neni 106

Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës.

Neni 107

  1. Nëpunësit publikë zbatojnë ligjin dhe janë në shërbim të popullit.
  2. Nëpunësit në administratën publike caktohen me konkurs, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji.
  3. Garancitë e qëndrimit në detyrë dhe trajtimi ligjor i nëpunësve publikë rregullohen me ligj.

PJESA E GJASHTË: QEVERISJA VENDORE

Neni 108

  1. Njësitë e qeverisjes vendore janë komunat ose bashkitë dhe qarqet. Njësi të tjera të qeverisjes vendore rregullohen me ligj.
  2. Ndarjet administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore caktohen me ligj mbi bazën e nevojave e të interesave të përbashkët ekonomikë dhe të traditës historike. Kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to.
  3. Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisese, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore.
  4. Vetëqeverisja në njësitë vendore ushtrohet nëpërmjet organeve të tyre përfaqësuese dhe referendumeve vendore. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit vendor parashikohen me ligj në përputhje edhe me nenin 151 paragrafi 2.

Neni 109

(Ndryshuar pika 1 me ligjin nr. 9675, datë 13.1.2007)

  1. Organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes vendore janë këshillat, të cilat zgjidhen çdo katër vjet me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë.
  2. Organi ekzekutiv i bashkisë ose i komunës është kryetari, i cili zgjidhet drejtpërdrejt nga populli në mënyrën e parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.
  3. Të drejtën e zgjedhjes në këshillat vendorë dhe si kryetar bashkie ose komune e kanë vetëm shtetasit që janë me banim të përhershëm në territorin e njësisë vendore përkatëse.
  4. Organet e njësive të qeverisjes vendore kanë të drejtë të formojnë bashkime dhe institucione të përbashkëta me njëri-tjetrin për përfaqësimin e interesave të tyre, të bashkëpunojnë me njësitë vendore të vendeve të tjera, si dhe të përfaqësohen në organizatat ndërkombëtare të pushteteve vendore.

Neni 110

  1. Qarku përbëhet nga disa njësi bazë të qeverisjes vendore me lidhje tradicionale, ekonomike e sociale dhe të interesave të përbashkët.
  2. Qarku është njësia ku ndërtohen e zbatohen politikat rajonale dhe ku ato harmonizohen me politikën shtetërore.
  3. Organi përfaqësues i qarkut është këshilli i qarkut. Bashkitë dhe komunat delegojnë anëtarë në këshillin e qarkut në përpjesëtim me popullsinë e tyre, por për çdo rast të paktën një anëtar. Kryetarët e komunave dhe të bashkive janë kurdoherë anëtarë të këshillit të qarkut. Anëtarët e tjerë të tij zgjidhen me lista përpjesëtimore ndër këshilltarët bashkiakë ose komunalë nga këshillat përkatës.
  4. Këshilli i qarkut ka të drejtë të nxjerrë urdhëresa dhe vendime me fuqi detyruese të përgjithshme për qarkun.

Neni 111

  1. Njësitë e qeverisjes vendore janë persona juridikë.
  2. Njësitë e qeverisjes vendore kanë buxhet të pavarur, i cili krijohet në mënyrën e parashikuar me ligj.

Neni 112

  1. Njësive të qeverisjes vendore mund t’u delegohen me ligj kompetenca të administratës shtetërore. Shpenzimet që kryhen për ushtrimin e delegimit, përballohen nga shteti.
  2. Organeve të qeverisjes vendore mund t’u vihen detyrime vetëm në përputhje me ligjin ose sipas marrëveshjeve që ato lidhin. Shpenzimet që lidhen me detyrimet që u vihen me ligj organeve të qeverisjes vendore përballohen nga Buxheti i Shtetit.

Neni 113

  1. Këshillat komunalë, bashkiakë dhe të qarkut:
    • a) rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë të pavarur çështjet vendore brenda juridiksionit të tyre;
    • b) ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike;
    • c) kanë të drejtë të mbledhin dhe të shpenzojnë të ardhurat që janë të domosdoshme për ushtrimin e funksioneve të tyre;
    • ç) kanë të drejtë të vendosin, në përputhje me ligjin, taksa vendore, si dhe nivelin e tyre;
    • d) caktojnë rregullat për organizimin dhe funksionimin e tyre në pajtim me ligjin;
    • dh) krijojnë simbolet e qeverisjes vendore, si dhe titujt vendorë të nderit;
    • e) ndërmarrin nisma për çështje vendore përpara organeve të caktuara me ligj.
  2. Organet e njësive të qeverisjes vendore nxjerrin urdhëresa, vendime dhe urdhra.
  3. Të drejtat për vetëqeverisje të njësive të qeverisjes vendore mbrohen në gjykatë.

Neni 114

Këshilli i Ministrave cakton prefektin si përfaqësues të tij në çdo qark. Kompetencat e prefektit caktohen me ligj.

Neni 115

  1. Organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.
  2. Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet.
  3. Në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse.

PJESA E SHTATË: AKTET NORMATIVE DHE MARRËVESHJET NDËRKOMBËTARE

KREU I: AKTET NORMATIVE

Neni 116

  1. Aktet normative që kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë:
    • a) Kushtetuta;
    • b) marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara;
    • c) ligjet;
    • ç) aktet normative të Këshillit të Ministrave.
  2. Aktet që nxirren nga organet e pushtetit vendor kanë fuqi vetëm brenda juridiksionit territorial që ushtrojnë këto organe.
  3. Aktet normative të ministrave dhe të organeve drejtuese të institucioneve të tjera qendrore kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë brenda sferës së juridiksionit të tyre.

Neni 117

  1. Ligjet, aktet normative të Këshillit të Ministrave, të ministrave, të institucioneve të tjera qendrore marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare.
  2. Shpallja dhe botimi i akteve të tjera normative bëhet sipas mënyrës së parashikuar me ligj.
  3. Marrëveshjet ndërkombëtare që ratifikohen me ligj, shpallen dhe botohen sipas procedurave që parashikohen për ligjet. Shpallja dhe botimi i marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare bëhet sipas ligjit.

Neni 118

  1. Aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë.
  2. Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte.
  3. Organi i autorizuar me ligj për të nxjerrë akte nënligjore, siç specifikohet në paragrafin 2 të këtij neni, nuk mund t’ia delegojë kompetencën e tij një organi tjetër.

Neni 119

  1. Rregulloret e Këshillit të Ministrave, të ministrive e të institucioneve të tjera qendrore, si dhe urdhrat e Kryeministrit, të ministrave e të drejtuesve të institucioneve qendrore kanë karakter të brendshëm dhe janë të detyrueshme vetëm për njësitë administrative që varen prej tyre.
  2. Këto akte nxirren në bazë të ligjit dhe nuk mund të shërbejnë si bazë për të marrë vendime në lidhje me individët dhe subjektet e tjera.
  3. Rregulloret dhe urdhrat nxirren në bazë dhe për zbatim të akteve që kanë fuqi juridike të përgjithshme.

Neni 120

Parimet dhe procedurat për nxjerrjen e akteve juridike vendore parashikohen me ligj.

KREU II: MARRËVESHJET NDËRKOMBËTARE

Neni 121

  1. Ratifikimi dhe denoncimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Republika e Shqipërisë bëhet me ligj në rastet kur ato kanë të bëjnë me:
    • a) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake;
    • b) të drejtat dhe liritë e njeriut, si edhe detyrimet e shtetasve, siç parashikohen në Kushtetutë;
    • c) anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare;
    • ç) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika e Shqipërisë;
    • d) miratimin, ndryshimin, plotësimin ose shfuqizimin e ligjeve.
  2. Kuvendi, me shumicën e të gjithë anëtarëve, mund të ratifikojë edhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare që nuk parashikohen në paragrafin 1 të këtij neni.
  3. Kryeministri e njofton Kuvendin sa herë që Këshilli i Ministrave nënshkruan një marrëveshje ndërkombëtare që nuk ratifikohet me ligj.
  4. Parimet dhe procedurat për ratifikimin dhe denoncimin e marrëveshjeve ndërkombëtare parashikohen me ligj.

Neni 122

  1. Çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Ajo zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur nuk është e vetëzbatueshme dhe zbatimi i saj kërkon nxjerrjen e një ligji. Ndryshimi, plotësimi dhe shfuqizimi i ligjeve të miratuara me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për efekt të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare bëhet me të njëjtën shumicë.
  2. Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të.
  3. Normat e nxjerra prej një organizate ndërkombëtare kanë epërsi, në rast konflikti, mbi të drejtën e vendit, kur në marrëveshjen e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë për pjesëmarrjen në atë organizatë, parashikohet shprehimisht zbatimi i drejtpërdrejtë i normave të nxjerra prej asaj.

Neni 123

  1. Republika e Shqipërisë, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, u delegon organizatave ndërkombëtare kompetenca shtetërore për çështje të caktuara.
  2. Ligji me të cilin ratifikohet një marrëveshje ndërkombëtare, siç parashikohet në paragrafin 1 të këtij neni, miratohet me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
  3. Kuvendi mund të vendosë që ratifikimi i një marrëveshjeje të tillë të bëhet me referendum.

PJESA E TETË: GJYKATA KUSHTETUESE

Neni 124

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Gjykata Kushtetuese zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.
  2. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.
  3. Gjykata Kushtetuese ka buxhet të veçantë, të cilin e administron në mënyrë të pavarur.

Neni 125

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.
  2. Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar.
  3. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.
  4. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës.
  5. Gjyqtari nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera, si dhe procedura për emërimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen me ligj.
  6. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet me një të tretën e saj, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.
  7. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenin 127, paragrafi 1, nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”.

Neni 126

(Ndryshuar me ligjin nr. 88/2012, datë 18.9.2012 dhe me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij, përveç rasteve kur ai ka vepruar për një interes vetjak ose me keqbesim.

Neni 127

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron kur:
    • a) mbush moshën 70 vjeç;
    • b) përfundon mandatin 9-vjeçar;
    • c) jep dorëheqjen;
    • ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 128 të Kushtetutës;
    • d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
    • dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
  2. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
  3. Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, organi i emërtesës emëron një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar.

Neni 128

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit.
  2. Procesi disiplinor ndaj gjyqtarit zhvillohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për shkarkimin e tij kur:
    • a) konstaton shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit;
    • b) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
  3. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur:
    • a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
    • b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të kryer me dashje;
    • c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.

Neni 129

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.

Neni 130

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

Qenia gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike, shtetërore, si dhe me veprimtari profesionale që ushtrohen kundrejt pagesës, me përjashtim të atyre të mësimdhënies, akademike dhe shkencore, sipas ligjit.

Neni 131

(Ndryshuar shkronja “e” me ligjin nr. 137/2015, datë 17.12.2015 dhe ndryshuar nënparagrafi “f” dhe shtuar paragrafi 2 me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

Gjykata Kushtetuese vendos për:

  • a) pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare, siç parashikohet në nenin 122;
  • b) pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre;
  • c) pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare;
  • ç) mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore;
  • d) kushtetutshmërinë e partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas nenit 9 të kësaj Kushtetute;
  • dh) shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve të tij;
  • e) çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës, të deputetëve, të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre.
  • ë) kushtetutshmërinë e referendumit dhe verifikimin e rezultateve të tij;
  • f) gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave, përveçse kur parashikohet ndryshe në Kushtetutë.
  1. Gjykata Kushtetuese, në rastin kur vihet në lëvizje për shqyrtimin e një ligji për rishikimin e Kushtetutës, të miratuar nga Kuvendi sipas nenit 177, kontrollon vetëm respektimin e procedurës së parashikuar nga Kushtetuta.

Neni 132

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.
  2. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër.
  3. Mendimi i pakicës publikohet bashkë me vendimin përfundimtar.

Neni 133

(Ndryshuar pika 2, me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Pranimi i ankesave për gjykim vendoset nga një numër gjyqtarësh, siç përcaktohet me ligj.
  2. Gjykata Kushtetuese merr vendim përfundimtar me shumicën e të gjithë anëtarëve të saj, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj.

Neni 134

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të:
    • a) Presidentit të Republikës;
    • b) Kryeministrit;
    • c) jo më pak se një të pestës së deputetëve;
    • ç) Avokatit të Popullit;
    • d) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit;
    • dh) çdo gjykate, sipas nenit 145, pika 2, të kësaj Kushtetute;
    • e) çdo komisioneri të krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta;
    • ë) Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë;
    • f) organeve të qeverisjes vendore;
    • g) organeve të bashkësive fetare;
    • gj) partive politike;
    • h) organizatave;
    • i) individëve.
  2. Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g”, “gj”, “h” dhe “i”, të paragrafit 1, të këtij neni, mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.

PJESA E NËNTË: GJYKATAT

Neni 135

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj.
  2. Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.
  3. Kuvendi mund të krijojë me ligj gjykata të tjera për fusha të veçanta, por në asnjë rast gjykata të jashtëzakonshme.
  4. Gjyqtarët e gjykatave të posaçme që parashikohen në paragrafin 2, të këtij neni, emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Gjyqtarët e gjykatave të posaçme shkarkohen nga detyra me dy të tretat e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kandidatët për gjyqtarë dhe nëpunës civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme, si dhe familjarët e afërm të kandidatëve, para emërimit, i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe të figurës, si dhe japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, sipas ligjit.

Neni 136

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi.
  2. Presidenti i Republikës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur Presidenti konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, sipas ligjit. Dekreti i Presidentit të Republikës për mosemërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
  3. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve me të paktën 13 vjet përvojë në ushtrimin e profesionit. Një e pesta e gjyqtarëve në këtë gjykatë përzgjidhet mes juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë si avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, juristë të nivelit të lartë në administratën publike ose në fusha të tjera të së drejtës. Kandidatët që përzgjidhen nga radhët e juristëve duhet të kenë gradë shkencore në drejtësi.
  4. Kandidati jo gjyqtar nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike, gjatë 10 vjetëve të fundit para kandidimit. Kritere të tjera dhe procedura e përzgjedhjes së gjyqtarit parashikohen me ligj.
  5. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, përveç rasteve të parashikuara në nenin 139, paragrafi 3, nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”.

Neni 136/a

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Gjyqtarë mund të jenë shtetasit shqiptarë që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit. 29
  2. Kritere të tjera për përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve parashikohen me ligj.

Neni 137

(Ndryshuar me ligjin nr. 88/2012, datë 18.9.2012 dhe nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

Gjyqtari gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrimin e funksioneve të tij, përveç rasteve të dhënies qëllimisht të një vendimi, si pasojë e një interesi vetjak ose keqbesimi.

Neni 138

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen, përveç rasteve kur:

  • a) nevojitet marrja e masave të përgjithshme ekonomiko-financiare për të shmangur situata të vështira financiare të vendit ose emergjenca të tjera kombëtare;
  • b) gjyqtari kthehet në detyrën që mbante para emërimit;
  • c) i jepet një masë disiplinore ose vlerësohet i pamjaftueshëm profesionalisht, sipas ligjit.

Neni 139

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Mandati i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë mbaron në rastet e mëposhtme:
    • a) mbush moshën e pensionit;
    • b) përfundon mandatin 9-vjeçar;
    • c) jep dorëheqjen;
    • ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 140 të Kushtetutës;
    • d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
    • dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
  2. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë deklarohet me vendim të Gjykatës së Lartë.
  3. Procedura për emërimin e gjyqtarit në një gjykatë tjetër pas përfundimit të mandatit rregullohet me ligj.

Neni 140

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.
  2. Gjyqtari shkarkohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor kur:
    • a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës;
    • b) është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
  3. Gjyqtari pezullohet nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor kur:
    • a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
    • b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;
    • c) kur fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.
  4. Kundër vendimit të shkarkimit mund të bëhet ankim në Gjykatën Kushtetuese.

Neni 141

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Gjykata e Lartë shqyrton çështje lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas ligjit.
  2. Për ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë tërheq për shqyrtim në Kolegjet e Bashkuara çështje të caktuara gjyqësore të vendosura nga kolegjet, sipas ligjit.

Neni 142

  1. Vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara.
  2. Gjykata e Lartë duhet t’i botojë vendimet e saj, si dhe mendimet e pakicës.
  3. Organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore.

Neni 143

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

Qenia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik, shkencor, si dhe delegimit pranë institucioneve të sistemit të drejtësisë, sipas ligjit.

Neni 144

(Shfuqizuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

Neni 145

  1. Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
  2. Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast, ata pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat.
  3. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve passjell përgjegjësi sipas ligjit.

Neni 146

  1. Gjykatat i japin vendimet në emër të Republikës.
  2. Vendimet gjyqësore shpallen publikisht në çdo rast.

Neni 147

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Këshilli i Lartë Gjyqësor siguron pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.
  2. Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë i zgjedh Kuvendi, nga radhët e juristëve jogjyqtarë.
  3. Anëtarët gjyqtarë përzgjidhen nga radhët e gjyqtarëve me integritet të lartë moral dhe profesional, sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha niveleve të gjyqësorit. Anëtarët jogjyqtarë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve rregullohen me ligj.
  4. Dy anëtarë jogjyqtarë zgjidhen nga radhët e avokatëve, dy anëtarë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, si dhe një anëtar nga shoqëria civile. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, bazuar në një procedurë transparente dhe publike, shpall vendet vakante, sipas ligjit. 31
  5. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e kandidaturave, verifikon nëse kandidatët plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji, si dhe vlerëson kriteret profesionale e morale për anëtarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe përgatit listën. Në rast se kandidatët nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhur, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk i përfshin emrat e tyre në listë.
  6. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit pas përfundimit të verifikimeve, i dërgon menjëherë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale nënkomisionit, sipas paragrafit 7 të këtij neni.
  7. Komisioni i përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend krijon një nënkomision për vlerësimin e mëtejshëm dhe përzgjedhjen e kandidatëve jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e listës. Nënkomisioni përbëhet nga 5 deputetë, prej të cilëve 3 caktohen nga shumica dhe 2 nga pakica parlamentare. Nënkomisioni, me të paktën katër vota, mund të përfshijë në listën e kandidatëve edhe ata që janë përjashtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për mospërmbushje të kritereve formale. Nënkomisioni përzgjedh kandidatët me mbështetjen e të paktën 4 anëtarëve. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short.
  8. Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga nënkomisioni përmblidhen në një listë dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Nëse lista rrëzohet, procedura përsëritet në nënkomision sipas pikës 7 të këtij neni, por jo më shumë se dy herë. Në rast se pas zhvillimit për herë të tretë të procedurës Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Procedura e detajuar rregullohet me ligj.
  9. Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jogjyqtarë, sipas ligjit.
  10. Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor e ushtrojnë detyrën me kohë të plotë për një periudhë prej pesë vjetësh, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Në përfundim të mandatit, anëtarët gjyqtarë kthehen në vendet e mëparshme të punës. Gjyqtarit të Gjykatës së Lartë ose të gjykatës së posaçme i pezullohet mandati si gjyqtar gjatë kohës që ushtron funksionin si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Anëtarët jogjyqtarë që përpara emërimit punonin me kohë të plotë në sektorin publik, rikthehen në vendet e mëparshme të punës ose në pamundësi, në detyra të barasvlershme me to.

Neni 147/a

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Këshilli i Lartë Gjyqësor ushtron funksionet e mëposhtme:
    • a) emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve;
    • b) vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve;
    • c) i propozon Presidentit të Republikës kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, sipas ligjit;
    • ç) miraton rregullat e etikës gjyqësore dhe mbikëqyr respektimin e tyre;
    • d) drejton dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punës në administratën e gjykatave, me përjashtim të mbarëvajtjes së strukturave të teknologjisë së informacionit në gjykata, e cila rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave;
    • dh) propozon dhe administron buxhetin e tij dhe të gjykatave;
    • e) informon publikun dhe Kuvendin për gjendjen e sistemit gjyqësor;
    • ë) ushtron funksione të tjera të caktuara me ligj.
  2. Ligji mund të parashikojë krijimin e komisioneve vendimmarrëse pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.
  3. Ministri i Drejtësisë mund të marrë pjesë, pa të drejtë vote, në mbledhjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor kur diskutohen çështje që lidhen me planifikimin strategjik dhe buxhetin e pushtetit gjyqësor.

Neni 147/b

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Mandati i anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor mbaron sipas rasteve të mëposhtme:
    • a) mbush moshën e pensionit;
    • b) përfundon mandatin 5-vjeçar;
    • c) jep dorëheqjen;
    • ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 147/c të Kushtetutës;
    • d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
    • dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
  2. Mbarimi i mandatit të anëtarit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
  3. Kur vendi i anëtarit mbetet vakant, organi që ka emëruar anëtarin paraardhës, sipas nenit 147, emëron një anëtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të anëtarit të larguar.
  4. Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, përveç rasteve të parashikuara në nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të paragrafit 1, të këtij neni.

Neni 147/c

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.
  2. Ai shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese kur:
    • a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike;
    • b) është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
  3. Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur:
    • a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
    • b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;
    • c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.

Neni 147/ç

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

Qenia anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të veprimtarisë mësimdhënëse, akademike dhe shkencore, sipas ligjit.

Neni 147/d

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.
  2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.
  3. Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, për një periudhë 9-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje, nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ai nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
  4. Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet nga lista e pesë kandidatëve të përzgjedhur dhe renditur mbi bazën e meritave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas një procedure transparente dhe publike. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej tri të pestave për asnjë prej kandidatëve brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës, kandidati i renditur i pari shpallet i emëruar.
  5. Inspektori i Lartë i Drejtësisë gëzon statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
  6. Procedura e vendimmarrjes nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë rregullohet me ligj. Ankimet ndaj vendimeve lidhur me masat disiplinore ndaj inspektorëve të tjerë shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.

Neni 147/dh

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Mandati i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mbaron kur:
    • a) mbush moshën e pensionit;
    • b) përfundon mandatin 9-vjeçar;
    • c) jep dorëheqjen;
    • ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 147/e të Kushtetutës;
    • d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
    • dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
  2. Mbarimi i mandatit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë deklarohet me vendim të mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
  3. Inspektori i Lartë i Drejtësisë qëndron në detyrë deri në emërimin e Inspektorit të ri, me përjashtim të rasteve të parashikuara në paragrafin 1, nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”.
  4. Pas përfundimit të mandatit, me kërkesë të tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kthehet në detyrën që mbante para emërimit ose në një detyrë të përafërt me të.

Neni 147/e

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.
  2. Ai shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese kur:
    • a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike;
    • b) është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
  3. Pretendimet lidhur me shkeljet disiplinore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë hetohen nga një komision hetimor i Kuvendit, duke respektuar të drejtën e tij për proces të rregullt. Komisioni hetimor, në rast se konstaton shkelje sipas paragrafit, 2 të këtij neni, i propozon Gjykatës Kushtetuese shkarkimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas ligjit.
  4. Inspektori i Lartë i Drejtësisë pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur:
    • a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
    • b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;
    • c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.

Neni 147/ë

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

Qenia Inspektor i Lartë i Drejtësisë nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik ose shkencor, sipas ligjit.

PJESA E DHJETË: PROKURORIA

Neni 148

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj.
  2. Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit.
  3. Prokuroria është organizuar dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor.
  4. Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale sipas nenit 135, paragrafi 2, të Kushtetutës janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm. Njësia e Posaçme Hetimore është në varësi të Prokurorisë së Posaçme.

Neni 148/a

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.
  2. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit.
  3. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
  4. Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar.
  5. Pas përfundimit të mandatit dhe me kërkesë të tij, Prokurori i Përgjithshëm emërohet në detyrën e mëparshme ose gjyqtar në gjykatën e apelit.

Neni 148/b

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

Prokurori i Përgjithshëm ushtron këto kompetenca:

  • a) përfaqëson akuzën në Gjykatën e Lartë dhe çështjet në Gjykatën Kushtetuese, me përjashtim të rastit kur përfaqësimi bëhet nga Prokuroria e Posaçme;
  • b) nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim për prokurorët, me përjashtim të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme;
  • c) siguron mbarëvajtjen e punës në administratën e prokurorisë, me përjashtim të administratës së Prokurorisë së Posaçme. Krijimi dhe mbarëvajtja e strukturave të teknologjisë së informacionit në prokurori rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave;
  • ç) propozon dhe administron buxhetin e prokurorisë, me përjashtim të buxhetit të Prokurorisë së Posaçme;
  • d) raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit;
  • dh) ushtron kompetenca të tjera të përcaktuara në ligj.

Neni 148/c

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm mbaron kur:
    • a) mbush moshën e pensionit;
    • b) përfundon mandatin 7-vjeçar;
    • c) jep dorëheqjen;
    • ç) shkarkohet sipas nenit 149/c të Kushtetutës,
    • d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
    • dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
  2. Mbarimi i mandatit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Neni 148/ç

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Prokurorë mund të jenë shtetasit shqiptarë, që emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit.
  2. Kriteret e tjera për përzgjedhjen dhe emërimin e prokurorëve parashikohen me ligj.

Neni 148/d

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.
  2. Prokurori shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë kur:
    • a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës;
    • b) është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
  3. Kundër vendimit të shkarkimit bëhet ankim në Gjykatën Kushtetuese.
  4. Prokurori pezullohet nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kur:
    • a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
    • b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;
    • c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.

Neni 148/dh

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën para gjykatave të posaçme të parashikuara në nenin 135, pika 2, të Kushtetutës, si dhe para Gjykatës së Lartë.
  2. Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Ligji vendos kritere të tjera për përzgjedhjen si dhe për procedurën transparente dhe publike të emërimit.
  3. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje, sipas ligjit.
  4. Prokurori i Prokurorisë së Posaçme shkarkohet për kryerjen e një krimi ose për kryerjen e një shkeljeje të rëndë disiplinore me dy të tretat e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
  5. Kandidati për prokuror, oficer i hetimit, personel administrativ i Prokurorisë së Posaçme, Njësisë së Posaçme Hetimore, si dhe familjarët e afërm të tij, para emërimit, i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe të figurës, japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve personale, sipas ligjit.

Neni 149

(Ndryshuar pika 1 dhe 4 me ligjin nr. 9904, datë 21.4.2008 dhe me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
  2. Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë.
  3. Anëtarët prokurorë përzgjidhen nga radhët e prokurorëve me integritet të lartë moral dhe profesional, sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha niveleve të prokurorisë. Anëtarët joprokurorë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve rregullohen me ligj.
  4. Dy anëtarë joprokurorë zgjidhen nga radhët e avokatëve, dy anëtarë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, si dhe një anëtar nga shoqëria civile. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, bazuar në një procedurë transparente dhe publike, shpall vendet vakante, sipas ligjit.
  5. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e kandidaturave, verifikon nëse kandidatët plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji, si dhe vlerëson kriteret profesionale e morale për anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe përgatit listën. Në rast se kandidatët nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhur, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk i përfshin emrat e tyre në listë.
  6. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit pas përfundimit të verifikimeve, i dërgon menjëherë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale nënkomisionit, sipas paragrafit 7 të këtij neni.
  7. Komisioni i përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend krijon një nënkomision për vlerësimin e mëtejshëm dhe përzgjedhjen e kandidatëve jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e listës. Nënkomisioni përbëhet nga 5 deputetë, prej të cilëve 3 caktohen nga shumica dhe 2 nga pakica parlamentare. Nënkomisioni, me të paktën katër vota, mund të përfshijë në listën e kandidatëve edhe ata që janë përjashtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për mospërmbushje të kritereve formale. Nënkomisioni përzgjedh kandidatët me mbështetjen e të paktën 4 anëtarëve. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short.
  8. Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga nënkomisioni përmblidhen në një listë dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Nëse lista rrëzohet, procedura përsëritet në nënkomision sipas pikës 7 të këtij neni, por jo më shumë se dy herë. Në rast se pas zhvillimit për herë të tretë të procedurës Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Procedura e detajuar rregullohet me ligj.
  9. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve joprokurorë, sipas ligjit.
  10. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e ushtrojnë detyrën me kohë të plotë për një periudhë prej pesë vjetësh, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Në përfundim të mandatit, anëtarët prokurorë kthehen në vendet e mëparshme të punës. Mandati i prokurorit të posaçëm pezullohet gjatë kohës që ushtron funksionin si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Anëtarët joprokurorë që përpara emërimit punonin me kohë të plotë në sektorin publik, rikthehen në vendet e mëparshme të punës ose në pamundësi, në detyra të barasvlershme me to.

Neni 149/a

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ushtron këto përgjegjësi:
    • a) emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon prokurorët e të gjitha niveleve;
    • b) vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve;
    • c) i propozon Kuvendit kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, sipas ligjit;
    • ç) miraton rregullat për etikën e prokurorëve dhe mbikëqyr respektimin e tyre;
    • d) propozon dhe administron buxhetin e tij;
    • dh) informon publikun dhe Kuvendin mbi gjendjen e prokurorisë;
    • e) ushtron funksione të tjera të caktuara me ligj.
  2. Ligji mund të parashikojë krijimin e komisioneve vendimmarrëse pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Neni 149/b

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Mandati i anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbaron kur:
    • a) mbush moshën e pensionit;
    • b) përfundon mandatin 5-vjeçar;
    • c) jep dorëheqjen;
    • ç) shkarkohet sipas nenit 149/c të Kushtetutës;
    • d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
    • dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
  2. Mbarimi i mandatit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
  3. Kur vendi i anëtarit mbetet vakant, organi që ka emëruar anëtarin paraardhës, sipas nenit 149, emëron një anëtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të anëtarit të larguar.
  4. Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, përveç rasteve të parashikuara në nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të paragrafit 1, të këtij neni.

Neni 149/c

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Prokurori i Përgjithshëm dhe anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.
  2. Prokurori i Përgjithshëm dhe anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë shkarkohen nga Gjykata Kushtetuese kur:
    • a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike;
    • b) është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
  3. Prokurori i Përgjithshëm dhe anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur:
    • a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
    • b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;
    • c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.

Neni 149/ç

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

Qenia Prokuror i Përgjithshëm, prokuror ose anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore ose politike, si dhe me veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik ose shkencor.

Neni 149/d

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme, me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati.
  2. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme.
  3. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e hedhjes së shortit si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
  4. Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është anëtari i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë krijon kushtet e punës për ushtrimin e veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
  5. Kritere të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short parashikohen me ligj. Organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi rregullohet me ligj.

PJESA E NJËMBËDHJETË: REFERENDUMI

Neni 150

  1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
  2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.
  3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.

Neni 151

  1. Ligji i miratuar me referendum shpallet nga Presidenti i Republikës.
  2. Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.
  3. Referendumi për të njëjtën çështje nuk mund të përsëritet përpara se të kenë kaluar tre vjet nga zhvillimi i tij.

Neni 152

  1. Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum sipas nenit 150 paragrafët 1 e 2, nenit 151 paragrafët 2 e 3 edhe sipas nenit 177 paragrafët 4 e 5 brenda 60 ditëve.
  2. Rëndësia e çështjeve të veçanta, të parashikuara në nenin 150 paragrafët 1 e 2 nuk është objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese.
  3. Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej. Gjatë vitit referendumet zhvillohen vetëm në një ditë.

PJESA E DYMBËDHJETË: KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE

(Shfuqizuar me ligjin nr. 9904, datë 21.4.2008)

Neni 153

(Shfuqizuar me ligjin nr. 9904, datë 21.4.2008)

Neni 154

(Shfuqizuar me ligjin nr. 9904, datë 21.4.2008)

PJESA E TREMBËDHJETË: FINANCAT PUBLIKE

Neni 155

Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese.

Neni 156

Shteti mund të marrë e të garantojë hua dhe kredi financiare, kur autorizohet me ligj.

Neni 157

  1. Sistemi buxhetor përbëhet nga buxheti i shtetit dhe nga buxhetet vendore.
  2. Buxheti i Shtetit krijohet nga të ardhurat e mbledhura prej taksave, tatimeve dhe detyrimeve të tjera financiare, si dhe nga të ardhura të tjera të ligjshme. Ai përfshin të gjitha shpenzimet e shtetit.
  3. Organet vendore caktojnë dhe mbledhin taksa dhe detyrime të tjera siç përcaktohet me ligj.
  4. Organet e pushtetit qendror dhe atij vendor janë të detyruara t’i bëjnë publike të ardhurat dhe shpenzimet.

Neni 158

  1. Kryeministri, në emër të Këshillit të Ministrave, i paraqet Kuvendit projektligjin për buxhetin e shtetit gjatë sesionit të vjeshtës, i cili nuk mund të mbyllet pa e miratuar atë.
  2. Në qoftë se projektligji nuk arrin të miratohet deri në fillim të vitit të ardhshëm financiar, Këshilli i Ministrave zbaton çdo muaj një të dymbëdhjetën e buxhetit të vitit paraardhës, derisa të miratohet buxheti i ri.
  3. Kuvendi miraton buxhetin e ri brenda 3 muajve nga dita e mbarimit të vitit të kaluar financiar, përveçse në rastet e vendosjes së masave të jashtëzakonshme.
  4. Këshilli i Ministrave është i detyruar t’i paraqesë raport Kuvendit lidhur me zbatimin e buxhetit dhe me borxhin shtetëror për vitin e kaluar.
  5. Kuvendi vendos përfundimisht pasi dëgjon edhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Neni 159

Parimet dhe procedurat për hartimin e projektbuxhetit, si dhe për zbatimin e buxhetit përcaktohen me ligj.

Neni 160

  1. Gjatë vitit financiar Kuvendi mund të bëjë ndryshime në buxhet.
  2. Ndryshimet në buxhet bëhen sipas procedurës së parashikuar për hartimin dhe miratimin e vetë buxhetit.
  3. Shpenzimet e parashikuara me ligje të tjera nuk mund të ulen sa kohë që këto ligje janë në fuqi.

Neni 161

  1. Banka Qendrore e shtetit është Banka e Shqipërisë. Ajo ka të drejtën ekskluzive të nxjerrjes e të qarkullimit të monedhës shqiptare, të zbatimit të pavarur të politikës monetare dhe të mbajtjes e të administrimit të rezervave valutore të Republikës së Shqipërisë.
  2. Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

PJESA E KATËRMBËDHJETË: KONTROLLI I LARTË I SHTETIT

Neni 162

  1. Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Ai u nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
  2. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Neni 163

Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrollon:

  • a) veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetërorë;
  • b) përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor;
  • c) veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti.

Neni 164

  1. Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet Kuvendit:
    • a) raport për zbatimin e buxhetit të shtetit;
    • b) mendim për raportin e Këshillit të Ministrave për shpenzimet e vitit të kaluar financiar para se të miratohet nga Kuvendi;
    • c) informacion për rezultatet e kontrolleve sa herë që kërkohet nga Kuvendi.
  2. Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet Kuvendit raportin vjetor të veprimtarisë së tij.

Neni 165

  1. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit mund të ftohet të marrë pjesë dhe të flasë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, kur shqyrtohen çështje që lidhen me funksionet e tij.
  2. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

PJESA E PESËMBËDHJETË: FORCAT E ARMATOSURA

Neni 166

  1. Shtetasit shqiptarë kanë për detyrë të marrin pjesë në mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë, siç parashikohet në ligj.
  2. Shtetasi që, për arsye ndërgjegjeje, nuk pranon shërbimin me armë në Forcat e Armatosura, është i detyruar të kryejë një shërbim alternativ, siç parashikohet në ligj.

Neni 167

  1. Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike.
  2. Pjesëtarët e forcave të armatosura ose personat që kryejnë shërbim alternativ, gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe.

Neni 168

  1. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë përbëhen nga forcat tokësore, detare dhe ajrore.
  2. Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
  3. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Republikës.

Neni 169

  1. Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes.
  2. Presidenti i Republikës, në kohe lufte, emëron dhe shkarkon Komandantin e Forcave të Armatosura me propozim të Kryeministrit.
  3. Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore.
  4. Kompetencat e Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe ato të Komandantit të Forcave të Armatosura dhe varësia e tyre nga organet kushtetuese, caktohen me ligj.

PJESA E GJASHTËMBËDHJETË: MASAT E JASHTËZAKONSHME

Neni 170

  1. Masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.
  2. Parimet e veprimtarisë së organeve publike dhe shkalla e kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, përcaktohen me ligj.
  3. Ligji duhet të përcaktojë parimet, fushat dhe mënyrën e kompensimit të humbjeve që vijnë si rezultat i kufizimit të të drejtave dhe lirive gjatë marrjes së masave të jashtëzakonshme.
  4. Aktet që ndërmerren si pasojë e marrjes së masave të jashtëzakonshme, duhet të jenë në përpjesëtim me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë rivendosjen sa më të shpejtë të kushteve për funksionimin normal të shtetit.
  5. Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohet asnjë prej këtyre akteve: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet e pushtetit vendor, si dhe ligjet për masat e jashtëzakonshme.
  6. Gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendum, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës. Zgjedhjet vendore mund të bëhen vetëm aty ku nuk zbatohen masat e jashtëzakonshme.

Neni 171

  1. Në rast agresioni të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, shpall gjendjen e luftës.
  2. Në rast kërcënimesh të jashtme ose kur detyrimi për mbrojtje të përbashkët buron nga një marrëveshje ndërkombëtare, Kuvendi, me propozim të Presidentit të Republikës, shpall gjendjen e luftës, vendos gjendjen e mobilizimit dhe të çmobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm.

Neni 172

  1. Në rastin e nenit 171 paragrafi 1, Presidenti i Republikës i paraqet Kuvendit dekretin për vendosjen e gjendjes së luftës brenda 48 orëve nga nënshkrimi i tij, duke specifikuar të drejtat që kufizohen.
  2. Kuvendi merr në shqyrtim menjëherë dhe vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve për dekretin e Presidentit.

Neni 173

  1. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.
  2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërhyrja e Forcave të Armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.
  3. Zgjatja e afatit të gjendjes së jashtëzakonshme mund të bëhet vetëm me pëlqim të Kuvendit çdo 30 ditë, për një periudhë jo më shumë se 90 ditë.

Neni 174

  1. Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit.
  2. Zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit.

Neni 175

  1. Gjatë gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund të kufizohen të drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet: 15, 18, 19, 20, 21, 24, 25, 29, 30, 31, 32, 34, 39 paragrafi 1, 41 paragrafët 1, 2, 3 dhe 5, 42, 43, 48, 54, 55.
  2. Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të kufizohen të drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet: 37, 38, 41 paragrafi 4, 49, 51.
  3. Aktet për shpalljen e gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose të gjendjes së fatkeqësisë natyrore duhet të cilësojnë të drejtat dhe liritë që kufizohen sipas paragrafëve 1 dhe 2 të këtij neni.

Neni 176

Kur Kuvendi nuk mund të mblidhet gjatë gjendjes së luftës, Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Ministrave, ka të drejtë të nxjerrë akte që kanë fuqinë e ligjit, të cilat duhet të miratohen nga Kuvendi në mbledhjen e tij më të parë.

PJESA E SHTATËMBËDHJETË: RISHIKIMI I KUSHTETUTËS

Neni 177

  1. Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit.
  2. Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme.
  3. Projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
  4. Kuvendi mund të vendosë, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projektamendamentet kushtetuese të votohen me referendum. Projektligji për rishikimin e Kushtetutës hyn në fuqi pas ratifikimit me referendum, i cili bëhet jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i tij në Kuvend.
  5. Amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
  6. Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës.
  7. Ligji i miratuar në referendum shpallet nga Presidenti i Republikës dhe hyn në fuqi në datën e parashikuar në këtë ligj.
  8. Rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë kaluar 3 vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum.

PJESA E TETËMBËDHJETË: DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 178

  1. Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute do të zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.
  2. Këshilli i Ministrave i paraqet Kuvendit projektligjet e nevojshme për vënien në zbatim të kësaj Kushtetute.

Neni 179

(Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016)

  1. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vazhdojnë veprimtarinë e tyre si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese sipas mandatit të mëparshëm.
  2. Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
  3. Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025 dhe gjyqtari i ri, që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028. Gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit.
  4. Anëtarët e Gjykatës së Lartë vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre sipas mandatit të mëparshëm. Anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët, të cilëve u mbaron mandati, emërohen sipas dispozitave të këtij ligji.
  5. Këshilli i Lartë Gjyqësor krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tre anëtarë gjyqtarë dhe dy anëtarë jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor emërohen fillimisht për një mandat trevjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Për emërimet e para për anëtarët jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, verifikimi i kandidatëve sipas nenit 147, të Kushtetutës, do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
  6. Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tre anëtarë prokurorë dhe dy anëtarë joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë emërohen fillimisht për një mandat trevjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Për emërimet e para për anëtarët joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, verifikimi i kandidatëve sipas nenit 149, të Kushtetutës, do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
  7. Gjatë mandatit të tyre nëntëvjeçar gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit, sipas nenit 179/b, kanë juridiksion disiplinor ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Kolegji i Apelimit shqyrton ankimet ndaj vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vendosjen e masave disiplinore, përkatësisht ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe inspektorëve të tjerë.
  8. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda do të emërtohen, funksionojnë dhe ushtrojnë kompetencat e gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Transferimi i çështjeve do të bëhet në përputhje me ligjin. Gjyqtarët në detyrë pranë këtyre gjykatave do të transferohen në gjykata të tjera, në rast se ata ose familjarët e tyre të afërt nuk japin pëlqimin për rishikimin periodik të llogarive të tyre financiare dhe telekomunikimeve vetjake. Prokurorët pranë Prokurorisë së Posaçme do të emërohen brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas ligjit. Pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme, Prokuroria për Krimet e Rënda do të pushojë së funksionuari. Transferimi i çështjeve në hetim dhe gjykim do të kryhet sipas ligjit.
  9. Inspektori i Lartë i Drejtësisë emërohet brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Mënyra e funksionimit të inspektorateve ekzistuese gjatë periudhës kalimtare rregullohet me ligj.
  10. Gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës qëndrojnë në detyrë dhe janë subjekt i procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas nenit 179/b dhe aneksit të këtij ligji.
  11. Presidenti i Republikës, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedh me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sipas nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës. Nëse Presidenti i Republikës nuk i përzgjedh anëtarët brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Të zgjedhurit qëndrojnë në detyrë deri në datën 31 dhjetor të vitit kur hyn në fuqi ky ligj. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e shortit, si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i nënshtrohen menjëherë procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë sipas nenit 179/b të këtij ligji.
  12. Presidenti i Republikës vazhdon të qëndrojë Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, sipas nenit 136 të Kushtetutës. Presidenti plotëson vakancën e parë në Gjykatën Kushtetuese sipas paragrafit 2, të këtij neni, dhe nenit 125 të Kushtetutës.
  13. Deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe e Prokurorit të Përgjithshëm do të bëhet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Zgjedhjet e tjera do të bëhen me tri të pestat e anëtarëve të Kuvendit.

Neni 179/1

(Shtuar me ligjin nr. 137/2015, datë 17.12.2015)

  1. Mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj, që është fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që janë të përjashtuara nga e drejta për t’u zgjedhur, sipas neneve 6/1 dhe 45, pika 3, të Kushtetutës.
  2. Brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi, në përputhje me procedurën e nenit 81, pika 2, të Kushtetutës, miraton ligjin që përcakton kushtet dhe rregullat për garantimin e integritetit të organeve që zgjidhen, emërohen ose mbajnë funksione publike.

Neni 179/b

(Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016; zëvendësuar togfjalësh në fjalinë e parë të pikës 8 me ligjin nr. 16/2022, datë 10.2.2022)

  1. Sistemi i rivlerësimit ngrihet me qëllim që të garantohet funksionimi i shtetit të së drejtës, pavarësia e sistemit të drejtësisë, si edhe të rikthehet besimi i publikut tek institucionet e këtij sistemi.
  2. Rivlerësimi do të kryhet mbi bazën e parimeve të procesit të rregullt, si dhe duke respektuar të drejtat themelore të subjektit të vlerësimit.
  3. Të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i nënshtrohen rivlerësimit ex officio.
  4. Të gjithë këshilltarët ligjorë pranë Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ndihmësit ligjorë pranë gjykatave administrative, ndihmësit ligjorë pranë Prokurorisë të Përgjithshme do të rivlerësohen ex officio. Procesit të rivlerësimit mund t’i nënshtrohen me kërkesë dhe nëse plotësojnë kriteret sipas ligjit edhe ish-gjyqtarët, ish-prokurorët, ish-këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet.
  5. Rivlerësimi kryhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa ankimet e subjekteve të rivlerësimit ose të Komisionerit Publik shqyrtohen nga Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese. Gjatë periudhës kalimtare 9-vjeçare Gjykata Kushtetuese do të funksionojë me dy kolegje.
  6. Komisioni dhe Kolegji i Apelimit janë të pavarur dhe të paanshëm.
  7. Moskalimi me sukses i procesit të rivlerësimit përbën shkak për mbarimin e menjëhershëm të ushtrimit të detyrës, krahas shkaqeve të parashikuara në Kushtetutë. Gjyqtarët dhe prokurorët, përfshirë ata që janë deleguar në pozicione të tjera, ish-gjyqtarë ose ishprokurorë, të cilët kalojnë me sukses rivlerësimin, qëndrojnë në detyrë ose emërohen gjyqtarë e prokurorë. Subjektet e tjera, të cilët kalojnë me sukses rivlerësimin, emërohen gjyqtarë ose prokurorë, sipas ligjit.
  8. Mandati i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik përfundon në datën 31.12.2024, ndërsa mandati i gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit është 9 vjet. Pas shpërbërjes së komisionit, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të prokurorëve shqyrtohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sipas ligjit. Pas shpërbërjes së komisionerëve publikë, kompetencat e tyre ushtrohen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Ankimet ndaj vendimeve të komisionit ende të papërfunduara do të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.
  9. Kuvendi vendos për shfuqizimin e këtij Aneksi pasi vendimi i fundit të ketë marrë formë të prerë, si dhe mbi bazën e raportit të paraqitur nga Kryetari i Apelimit mbi gjendjen e çështjeve të papërfunduara, ose kur përfundon mandati i Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit.
  10. Procedurat dhe kriteret e rivlerësimit rregullohen sipas parashikimeve të Aneksit dhe ligjit.

Neni 180

  1. Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë para hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute konsiderohen të ratifikuara sipas kësaj Kushtetute.
  2. Këshilli i Ministrave i paraqet Gjykatës Kushtetuese marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat përmbajnë dispozita që vijnë në kundërshtim me këtë Kushtetutë.

Neni 181

  1. Kuvendi, brenda dy deri tre vjetëve nga hyrja në fuqi e kësaj Kushtetute, nxjerr ligje për rregullimin e drejtë të çështjeve të ndryshme që lidhen me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera para miratimit të kësaj Kushtetute, duke u udhëhequr nga kriteret e nenit 41.
  2. Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute dhe që kanë të bëjnë me shpronësimet dhe konfiskimet, do të zbatohen kur nuk vijnë në kundërshtim me të.

Neni 182

Ligji nr. 7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, si dhe ligjet e tjera kushtetuese shfuqizohen ditën e hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute.

Neni 183

Kjo Kushtetutë hyn në fuqi me shpalljen nga Presidenti i Republikës.

Dispozita kalimtare të parashikuara me ligjin nr. 9675, datë 13.1.2007

  1. Mandati katërvjeçar, i përcaktuar në nenin 1 të këtij ligji, zbatohet për herë të parë për këshillat dhe kryetarët e bashkive e të komunave që zgjidhen në zgjedhjet e para pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
  2. Njëri nga mandatet e dy anëtarëve të KQZ-së, të zgjedhur në bazë të nenit 2 të këtij ligji, mbaron më 31 mars 2010, kurse tjetri më 31 mars 2013. Kuvendi përcakton me short se cili nga mandatet përfundon më 31 mars 2010. Procedurat e shortit përcaktohen nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të Kuvendit të Shqipërisë.

Miratuar me ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 të Kuvendit Popullor

Miratuar me referendum më 22.11.1998

Shpallur me dekretin nr. 2260, datë 28.11.1998 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani

ANEKS

Rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve

Neni A: Kufizimi i të drejtave të parashikuara nga Kushtetuta

  1. Me qëllim kryerjen e procesit të rivlerësimit, zbatimi i disa neneve të kësaj Kushtetute, veçanërisht i neneve që lidhen më të drejtën për respektimin e jetës private, si dhe nenet 36 dhe 37, dispozitat që lidhen me barrën e provës, nenet 128, 131, nënparagrafi “f”, 135, 138, 140, 145, paragrafi 1, 147/a, paragrafi 1, nënparagrafi “b”, 149/a, paragrafi 1, nënparagrafi “b”, kufizohen pjesërisht, sipas nenit 17 të Kushtetutës.
  2. Subjektet që kalojnë me sukses rivlerësimin, sipas parashikimeve të këtij Aneksi, i nënshtrohen sistemit të përhershëm të llogaridhënies, sipas rregullave të përgjithshme të parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj.

Neni B: Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit

  1. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të mbështesë procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së gjithë procesit. Ky Operacion përfshin partnerët në kuadër të procesit të integrimit europian dhe bashkëpunimit euro-atlantik dhe udhëhiqet nga Komisioni Europian.
  2. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ushtron detyrat e veta sipas marrëveshjeve ndër-kombëtare. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit emëron vëzhguesit ndërkombëtarë pas njoftimit të Këshillit të Ministrave. Vëzhguesit emërohen nga radhët e gjyqtarëve ose prokurorëve me jo më pak se 15 vjet eksperiencë në sistemin e drejtësisë së vendeve të tyre përkatëse. Mandati i vëzhguesit ndërkombëtar ndërpritet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për shkelje të rënda.
  3. Vëzhguesi ndërkombëtar ushtron këto detyra:
    • a) i jep rekomandime Kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të Komisionit, gjyqtarit të Kolegjit të Apelimit dhe Komisionerit Publik;
    • b) paraqet gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga Komisioni dhe nga Kolegji i Apelimit, si dhe kontribuon për kontrollin e figurës sipas nenit DH. Lidhur me këto gjetje, vëzhguesi ndërkombëtar mund të kërkojë që Komisioni ose Kolegji i Apelimit të marrë në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat privatë, sipas ligjit;
    • c) u jep komisionerëve publikë rekomandime me shkrim për të paraqitur ankim. Në rast se Komisioneri Publik nuk i zbaton rekomandimet, ai përgatit një raport me shkrim duke dhënë arsyet e refuzimit;
    • ç) kanë të drejtën të marrin të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për persona dhe dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit të rivlerësimit në të gjitha nivelet dhe fazat.

Neni C: Dispozita të përgjithshme për Komisionin dhe Kolegjin e Apelimit

  1. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përbëhet nga katër trupa gjykues të përhershëm me tre anëtarë secili.
  2. Dy komisionerë publikë përfaqësojnë interesin publik dhe mund të paraqesin ankim kundër vendimit të Komisionit.
  3. Komisioni dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit ushtrojnë përgjegjësitë e tyre bazuar në parimet e llogaridhënies, integritetit dhe transparencës për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe profesional të çliruar nga korrupsioni. Gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, anëtarët e Komisionit dhe komisionerët publikë gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe mandati i tyre nuk kufizohet për shkak të moshës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe me ligj.
  4. Anëtarët e Komisionit, gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit, komisionerët publikë, si dhe punonjësit e tjerë të këtyre institucioneve nënshkruajnë deklaratë me shkrim, sipas ligjit, për të autorizuar kryerjen e kontrollit vjetor të pasurisë së tyre, monitorimin sistematik të llogarive dhe transaksioneve financiare, si dhe kufizimet e posaçme të së drejtës së fshehtësisë së komunikimeve gjatë gjithë kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në detyrë. Deklaratat e pasurisë së tyre bëhen publike.
  5. Anëtarët e Komisionit dhe gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit kanë arsim të lartë juridik dhe jo më pak se 15 vjet përvojë si gjyqtar, prokuror, lektor i së drejtës, avokat, noter, jurist i nivelit të lartë në administratën publike, ose në profesione të tjera ligjore që lidhen me sistemin e drejtësisë. Kandidatët për anëtarë të Komisionit dhe gjyqtarë të Kolegjit nuk duhet të kenë qenë gjyqtarë, prokurorë ose këshilltarë ligjorë apo ndihmës ligjorë gjatë dy vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kandidatët nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike dhe funksione drejtuese në partitë politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
  6. Presidenti i Republikës së Shqipërisë organizon procesin e hapur dhe transparent të aplikimit për pozicionin e anëtarit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe të Komisionerit Publik. Kandidatët i paraqesin Presidentit aplikimet dhe të gjitha deklaratat shoqëruese, sipas ligjit. Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Presidenti përpilon një listë me kandidatë, të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatë, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit monitoron këtë proces. Nëse Presidenti nuk e përfundon procesin brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aneksi, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit.
  7. Një komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit vlerëson kandidatët, sipas ligjit. Jo më vonë se katërmbëdhjetë ditë nga paraqitja e dy listave nga Presidenti, Komisioni, bazuar në vlerësimet e tij, i dërgon rekomandimet Presidentit, i cili ia përcjell ato Kuvendit. Nëse Presidenti nuk e ushtron këtë kompetencë brenda 5 ditëve, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit.
  8. Brenda tre ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Kuvendi krijon një komision ad hoc me gjashtë anëtarë të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare. Komisioni, me të paktën katër vota, mund të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale tek lista e kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale. Komisioni, me të paktën pesë vota, mund kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve të rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit tek lista e kandidatëve për votim. Brenda dhjetë ditëve nga krijimi i tij, komisioni ad hoc i përcjell listën e kandidatëve për votim për secilin pozicion komisioneve ad hoc përzgjedhëse. Dy listat e tjera nuk dërgohen për votim.
  9. Kuvendi krijon brenda dhjetë ditëve dy komisione ad hoc përzgjedhëse të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare, ku një komision ka 12 anëtarë dhe një ka 6 anëtarë.
  10. Brenda 30 ditëve nga konstituimi i komisionit ad hoc, secili anëtar i komisioni me 12 anëtarë përzgjedh një kandidat për komisioner nga lista e kandidatëve për votim pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik ku secili anëtar i komisionit voton për një kandidat. Komisioni përzgjedh më pas dy kandidatë nga lista e kandidatëve për votim për komisionerë publikë përmes një votimi ku dy kandidatët me më shumë vota quhen të përzgjedhur. Në rast barazie të votave, fituesit përzgjidhen me short. Dy kandidatë zëvendësues për secilin pozicion përzgjidhen në të njëjtën mënyrë si për Komisionerin Publik.
  11. Brenda 30 ditëve nga konstituimi i komisionit ad hoc, secili prej 6 anëtarëve të komisionit përzgjedh nga lista e kandidatëve për votim një kandidat për gjyqtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik ku secili anëtar i komisionit voton për një kandidat. Komisioni më pas përzgjedh gjyqtarin e shtatë nga kandidatët e mbetur të listës së kandidatëve për votim përmes një votimi të thjeshtë ku kandidati me më shumë vota quhet i përzgjedhur. Në rast barazie të votave, fituesi përzgjidhet me short. Dy gjyqtarë zëvendësues për secilin pozicion përzgjidhen në të njëjtën mënyrë si për gjyqtarin e shtatë.
  12. Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga dy komisionet ad hoc përzgjedhëse përmblidhen në një listë të vetme dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve në bllok me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve. Në rast se Kuvendi nuk e miraton listën e kandidatëve në bllok, Kryetari i Kuvendit ia kthen atë komisioneve ad hoc për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes dhe dërgimin e një liste të dytë brenda 10 ditëve. Kuvendi, brenda 10 ditëve, mund ta rrëzojë në bllok listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Në rast se lista nuk rrëzohet, kandidatët e përzgjedhur konsiderohen të zgjedhur. Procedura e detajuar rregullohet me ligj.
  13. Anëtari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Komisioneri Publik ushtrojnë detyrën me kohë të plotë dhe nuk mund të mbajnë asnjë pozicion apo të ushtrojnë ndonjë detyrë tjetër gjatë kohëzgjatjes së mandatit.
  14. Komisioni, Kolegji i Apelimit dhe Komisionerët Publikë kanë buxhet, administratë dhe mjedise të mjaftueshme për të kryer funksionet e tyre si dhe për ushtrimin e funksioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë, sipas ligjit.
  15. Gjuhët zyrtare të Komisionit, të Kolegjit të Apelimit dhe komisionerëve publikë janë gjuha shqipe dhe angleze. Të dyja organet punësojnë përkthyes për këtë qëllim.
  16. Anëtari i Komisionit, gjyqtari i Kolegjit të Apelimit dhe Komisioneri Publik mban përgjegjësi disiplinore. Rastet e shkeljes disiplinore shqyrtohen nga Kolegji i Apelimit, sipas ligjit.
  17. Anëtarit të Komisionit, gjyqtarit të Kolegjit të Apelimit, Komisionerit Publik, vëzhguesit ndërkombëtar, punonjësit të administratës dhe familjarëve të tyre u garantohet mbrojtje e nivelit më të lartë, sipas ligjit.

Neni Ç: Rivlerësimi

  1. Rivlerësimi përfshin kontrollin e pasurisë, të figurës dhe të aftësive profesionale, sipas neneve D, DH dhe E të këtij Aneksi dhe ligjit.
  2. Komisioni dhe Kolegji i Apelimit publikojnë vendimet e tyre si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm të marrë nga publiku. Këto organe marrin në shqyrtim informacione nga publiku duke respektuar parimin e proporcionalitetit midis privatësisë dhe nevojave të hetimit, si dhe duke garantuar të drejtën për një proces të rregullt.
  3. Institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë bashkëpunojnë me Komisionin dhe Kolegjin e Apelimit, duke vënë në dispozicion të tyre informacionin e kërkuar, si dhe duke siguruar akses të drejtpërdrejtë në të dhënat. Ata mund të japin mendime ose të bëjnë propozime konkrete, sipas ligjit.
  4. Komisioni ose Kolegji i Apelimit, sipas rastit, përmes personelit të tyre, Komisionerit Publik ose vëzhguesit ndërkombëtar, shqyrton deklaratat e subjektit të rivlerësimit për të shkuarën e tij, interviston personat e përmendur në deklaratë ose persona të tjerë, si dhe bashkëpunon me institucione të tjera shtetërore ose të huaja për të konfirmuar vërtetësinë dhe saktësinë e deklarimeve. Komisioni, Kolegji dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë akses të drejtpërdrejtë në të gjitha bazat e të dhënave qeveritare, përveç atyre që janë klasifikuar “sekret shtetëror”, duke përfshirë edhe dosjet personale të të rivlerësuarit, të dhënat statistikore, dosje të përzgjedhura për rivlerësim, vetëvlerësimet, mendimet e eprorëve, të dhënat për trajnimet dhe ankimet ndaj të rivlerësuarve, rezultatet e verifikimit të ankesave, vendimet për marrjen e masave disiplinore ndaj të rivlerësuarve, të dhënat për pronat e të rivlerësuarit, llogaritë bankare, të dhënat tatimore, të dhënat për automjetet, të dhënat për hyrje-daljet në kufi, si dhe çdo dokument tjetër të dobishëm. Komisioni ose Kolegji mund të urdhërojë individë dhe shoqëri tregtare të dëshmojnë ose të japin prova në përputhje me ligjin.
  5. Barra e provës i kalon subjektit të rivlerësimit vetëm për këtë proces, duke përjashtuar çdo proces tjetër, në veçanti procesin penal.

Neni D: Vlerësimi i pasurive

  1. Subjektet e rivlerësimit i nënshtrohen deklarimit dhe kontrollit të pasurive të tyre, me qëllim që të identifikohen ata që kanë në pronësi ose në përdorim pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht, ose ata që nuk i kanë deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasuritë e tyre dhe të personave të lidhur.
  2. Subjekti i rivlerësimit dorëzon një deklaratë të re dhe të detajuar të pasurisë në përputhje me ligjin. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave kontrollon deklaratën e pasurisë dhe i dorëzon Komisionit një raport për ligjshmërinë e pasurive, për saktësinë dhe plotësinë e deklarimit, sipas ligjit.
  3. Subjekti i rivlerësimit duhet të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave. Pasuri të ligjshme për qëllimet e këtij ligji konsiderohen të ardhurat që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore. Elemente të tjera të pasurisë së ligjshme përcaktohen me ligj.
  4. Nëse subjekti i rivlerësimit ka një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme, ai prezumohet fajtor për shkeljen disiplinore, përveçse kur ai paraqet prova që vërtetojnë të kundërtën.
  5. Nëse subjekti i rivlerësimit nuk e dorëzon deklaratën e pasurisë në kohë sipas ligjit, ai shkarkohet nga detyra. Nëse subjekti i rivlerësimit përpiqet të fshehë ose të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose në përdorim të tij, zbatohet parimi i prezumimit në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Neni DH: Kontrolli i figurës

  1. Subjektet e rivlerësimit dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja.
  2. Subjektet e rivlerësimit plotësojnë dhe i dorëzojnë Komisionit një deklaratë të detajuar për figurën e tyre që mbulon periudhën nga data 1 janar 2012 deri në ditën e deklarimit, sipas ligjit. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal.
  3. Nëse subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.
  4. Nëse subjekti i rivlerësimit nuk e dorëzon në kohë deklaratën për figurën sipas ligjit, ai shkarkohet. Nëse subjekti i rivlerësimit përpiqet të bëjë deklarime të pasakta, ose të fshehë kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Neni E: Vlerësimi i aftësive profesionale

  1. Subjektet e rivlerësimit i nënshtrohen një rivlerësimi të aftësisë profesionale, me qëllim identifikimin e atyre të cilët nuk janë të kualifikuar për të kryer funksionin e tyre dhe të atyre të cilët kanë mangësi profesionale që mund të korrigjohen përmes edukimit.
  2. Vlerësimi i aftësisë zhvillohet me ndihmën e nëpunësve që ushtrojnë detyrën e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve ose prokurorëve në kohën kur kryhet rivlerësimi. Vlerësimi i aftësisë për gjyqtarët, këshilltarët ligjorë ose ndihmësit ligjorë përfshin aftësinë për të gjykuar, aftësitë organizative, etikën dhe angazhimin ndaj vlerave gjyqësore, cilësitë personale dhe angazhimin profesional, bazuar në standardet e parashikuara në ligj. Vlerësimi i aftësisë për prokurorët përfshin aftësinë për të hetuar dhe për të ngritur akuzën publike, aftësitë organizative, etikën dhe angazhimin ndaj vlerave profesionale, si dhe cilësitë personale bazuar në standardet e parashikuara në ligj. Vlerësimi i aftësisë për këshilltarët ose ndihmësit ligjorë përfshin testimin pranë Shkollës së Magjistraturës. Vlerësimi i aftësisë nuk shtrihet ndaj çështjeve që janë në shqyrtim.
  3. Në rast se rezulton se subjekti i rivlerësimit ka njohuri, aftësi, gjykim ose sjellje të cekëta, ose ka një mënyrë pune që nuk pajtohet me pozicionin e tij, atëherë kjo konsiderohet mangësi profesionale dhe zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të pezullimit, shoqëruar me detyrimin për të ndjekur programin e edukimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.
  4. Në rast se rezulton se subjekti i rivlerësimit ka njohuri, aftësi, gjykim ose sjellje të papërshtatshme, ose ka një mënyrë pune që nuk pajtohet me pozicionin e tij dhe mangësia e vërejtur nuk mund të korrigjohet përmes programit njëvjeçar të edukimit, zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.
  5. Në rast se subjekti i rivlerësimit kryen veprime për të penguar ose vështirësuar vlerësimin e tij, ose rezulton se ka njohuri, aftësi, gjykim, qëndrime, ose një model pune aq të dobët saqë rrezikon ose cenon të drejtat e qytetarëve, ai konsiderohet i papërshtatshëm për të ushtruar funksionin. Në këtë rast zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Neni Ë: Masat disiplinore

  1. Komisioni ose Kolegji i Apelimit në përfundim të shqyrtimit të çështjes, vendos masat disiplinore, pezullimin e subjektit të rivlerësimit nga detyra për një vit, të shoqëruar me edukim të detyrueshëm, ose shkarkimin e tij nga detyra. Në çdo rast vendimi jepet i arsyetuar.
  2. Vendimi që urdhëron pezullimin nga detyra, shoqëruar me detyrimin për trajnim identifikon mangësitë. Gjatë periudhës së pezullimit, të rivlerësuarit i njihet e drejta e pagës në masën 75 për qind të saj. Subjekti i rivlerësuar urdhërohet të ndjekë një program edukimi njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës, i hartuar për të plotësuar mangësitë. Në fund të programit ai testohet për aftësitë e tij. Ky testim mbikëqyret nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Subjekti i rivlerësimit që nuk e kalon testimin shkarkohet nga Komisioni.
  3. Në çdo rast, shkarkimi i një gjyqtari ose prokurori nuk është shkak për rihapjen e çështjeve të gjykuara ose të hetuara prej tij, përveçse kur ekzistojnë shkaqet, mbi të cilat realizohet kërkesa për rishikim, sipas parashikimeve në ligjet procedurale.

Neni F: Kolegji i Apelimit

  1. Kolegji i Apelimit përbëhet nga shtatë gjyqtarë dhe është organi i vetëm gjyqësor që shqyrton ankimet kundër vendimeve të Komisionit, sipas këtij Aneksi dhe ligjit. Kolegji vendos në trupa gjykuese me pesë anëtarë secili.
  2. Ndaj vendimeve të Komisionit mund të ushtrojnë ankim pranë këtij Kolegji subjekti i rivlerësimit dhe Komisioneri Publik, sipas ligjit, me përjashtim të vendimeve të marra sipas nenit Ë, paragrafi 2, të Aneksit.
  3. Kolegji mund të kërkojë mbledhjen e fakteve ose të provave, si dhe të korrigjojë çdo gabim procedural të kryer nga ana e Komisionit, duke mbajtur parasysh të drejtat themelore të subjektit të rivlerësuar. Kolegji vendos në lidhje me çështjen dhe nuk mund t’ia kthejë atë Komisionit për rishqyrtim. Juridiksioni kushtetues nuk lejon të vihen në diskutim parimet e kushtetutshmërisë, mbi të cilat është bazuar procesi i rivlerësimit dhe si i tillë bazohet tek kriteret e përcaktuara në këtë ligj.
  4. Vëzhguesi ndërkombëtar në Kolegjin e Apelimit gëzon të njëjtat të drejta si dhe vëzhguesi ndërkombëtar pranë Komisionit.
  5. Gjatë periudhës së shqyrtimit të ankimit subjekti i rivlerësimit paguhet në masën 75 për qind të pagës. Nëse Kolegji pranon ankimin duke shfuqizuar vendimin e Komisionit, pjesa prej 25 për qind e pagës i paguhet subjektit për të gjithë periudhën e ndërprerjes. Vendimi përfundimtar që urdhëron shkarkimin nga detyra, hyn në fuqi menjëherë.
  6. Kur ushtron ankim kundër masës disiplinore të shkarkimit, subjekti i rivlerësimit pezullohet nga detyra deri në marrjen e vendimit nga Kolegji.
  7. Kolegji lë në fuqi, ndryshon ose rrëzon vendimin e Komisionit, duke dhënë vendim me shkrim të arsyetuar. Në rastet e ankimeve nga Komisioneri Publik, Kolegji nuk mund të vendosë një masë disiplinore më të rëndë, pa i dhënë subjektit të rivlerësimit kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe për t’u dëgjuar në seancë.
  8. Subjektet që rivlerësohen mund të ushtrojnë ankim në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Neni G: Dorëheqja

  1. Subjekti i rivlerësimit mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet.
  2. Subjekti i rivlerësimit që dorëhiqet sipas kësaj dispozite, nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15- vjeçare.

  1. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është miratuar me ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998. ↩︎

Glostat's main goal is to rely on primary sources to back up the work presented (white papers, government data, original reporting). However, sometimes, we cite original research from other credible publishers when relevant. To learn more about the guidelines we adhere to in creating precise and impartial content, please refer to our editorial policy.

Albania Constitution (2022) - Albanian:
Origin

Albania High Council of the Prosecution

Name Albania Constitution (pdf)
CountryLanguage

Albanian

Released Accessed

Have any questions about the data or suggestions for the platform?

CONTACT

Your donation powers the mission to offer reliable and unbiased information

SUPPORT